7 mars 2015 – Humbja me goleadë në transfertën e Kukësit nuk është pritur mirë nga “djemtë e detit”, të cilët në fundjavë i pret një tjetër përballje zjarri. Madje ky duel cilësohet si më i rëndësishmi i sezonit, sepse luajnë kundër kundërshtarit direkt, sikurse është Apolonia. Kapiteni Rizvani, shfaqet i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij dhe kërkon reagim të menjëhershëm.

“Fatkeqësisht, skuadra edhe pas sfidës me Kukësin nuk arriti të merrte një rezultat pozitiv. Ajo që më mërzit më tepër se humbja është fakti se pësuam shumë gola. Duhet të jemi më të koncentruar dhe mirorganizuar në të gjitha repartet, duke mos u lejuar hapësira kundërshtarëve. Ne ishim përgatitur për rezultat pozitiv, por gjërat ndryshuan shumë shpejt në fushën e lojës dhe kronologjia e ndeshjes në befasoi, pasi në momente të caktuara skuadra u shpërqendrua dhe, për pasojë pësuam plot pesë gola. Rezultati erdhi i tillë për fajin tonë, por edhe për meritë të kundërshtarit, i cili e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe ishte i etur për të fituar. Ishte një humbje e pabesueshme, e cila nuk përtypet kollaj. Megjithatë, ne duhet ta hedhim pas krahëve edhe këtë humbje dhe të përqendrohemi te ndeshjet e tjera”, tha fillimisht portieri rreth takimit të së mërkurës.

Më tej ai foli edhe Apoloninë, që e cilëson si takimin vendimtar për mbijetesën. “Në prag kemi Apoloninë, e cila është skuadër rivale për objektivin që ka Teuta. Për mua, kjo është ndeshja e sezonit, sepse çdo rezultat ka vlera të dyfishta dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të marrim një rezultat pozitiv. Personalisht kam shumë besim se në këtë përballje do të vijë edhe kthesa e shumëpritur e skuadrës sonë, e cila është zhytur në krizë rezultatesh. Në këtë sfidë kërkoj impenjim maksimal dhe vlerësim të jashtëzakonshëm nga skuadra, pasi bëhet fjalë për një ndeshje shumë, shumë të rëndësishme”, përfundoi Rizvani.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/