10 dhjetor 2014 –  Teuta nën drejtimin e teknikut Gentjan Begeja dhe stafit teknik po ushtrohet intesivisht për ndeshjen e radhës, atë të së premtës ndaj Kukësit, përballje e cila do të zhvillohet në stadiumin "Niko Dovana". Krahas kumbjeve të njëpasnjëshme, katër radhazi, atmosfera në kampin durrsak është pozitive dhe të gjithë besojnë se ndaj Kukësit do të marin një rezultat pozitiv. Kapiteni Rizvani e konsideron një përballje të vështirë, ndërsa shprehet se skuadra do të japë maksimumin në fushën e lojës, me qëllim për ta fituar këtë ndeshje tejet decizive për skuadrën durrsake. "Ne po punojmë me ritme të lartë për përballjen e së premtës. Atmosfera në skuadër, krahas humbjeve, është pozitive dhe të gjithë kemi besim se ndaj Kukësit do të marim në rezultat pozitiv dhe këtu i referohem fitores. Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë përballje, sepse një tjetër rezultat negativ do të ishte katastrofë për ne. I kemi të gjitha mundësit, për më tepër luajmë në fushën tonë dhe është një motiv më shumë për ta fituar këtë sfidë, e cila theksoj, është sa delikate aq edhe e rëndësishme për skuadrën tonë. Lojtarët thuajse janë të gjithë të gatshëm dhe kanë shprehur gatishmërin për të dhënë më shumë se mundësit e tyre në fushën e lojës, me qëllimin e vetëm që të fitojmë këtë ndeshje. Personalisht kam besim se do t'ia dalim", u shpreh portieri. Rizvani e konsideron negative ecurinë e deritanishme të skuadrës ndërsa shprehet se e rëndësishme për të ardhmen është grumbullimi i sa më shumë pikëve përgjatë pjesës së mbetur të kampionatit.

"Eleminimi nga kupa dhe pozicionimi në tabelën e klasifikimit dëshmojnë qartë se kemi patur një ecuri negative deri tani, fakt jashtë çdo parashikimi. Në fillim të sezonit ne kemi patur objektiva, ndërsa tani flasim të fitojmë terren. Normalisht nuk jemi krenar për këtë gjëndje dhe shpresojmë të rikuperojmë sa më shumë pike në pjesën e mbetur të kampionatit, me qëllim që të ngjitemi disa pozicione në tabelën e klasifikimit. Personalisht kam besim se performanca e skuadra në vijim do të jetë gjithnjë e në rritje. Një fitore e mundëshme ndaj Kukësit do të ishte sinjali i parë i kësaj që sapo thashë", deklaroi kapiteni.