Durrës, 30 gusht 2014 – Teuta po përgatitet për sfidën me Vllazninë. Në kampin durrsak janë të bindur se do të marin një rezultat pozitiv ndaj shkodranëve, çka do të thotë tre pikë. Kapiteni dhe portieri i durrsakëve Bledian Rizvani deklaron se skuadra e tij nuk mjaftohet me rezultat tjetër veç fitores në përballjen e së dielës në orën 17.00.
"Po presim me padurim të regjistrojmë fitoren e parë për këtë kampionat. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin për të arritur tek fitorja. Humbja ndaj Flamurtarit na kushtëzon që të mendojmë vetëm për fitore në përballjen e radhës ndaj Vllaznisë. Teuta nuk ka rrugë tjetër përveç fitores, prandaj duhet të japim maksimumin në fushë dhe të mos e diskutojmë tre pikëshin", u shpreh fillimisht kapiteni.
Rizvani u ndal tek prurjet e reja, të cilat i kosideron si të domosdoshme për skuadrën dhe ecurine e saj. Konkurenca, sipas Rizvanit do të shërbejë shumë në kampin durrsak, sepse tashmë asnjë lojtar nuk është i pazevendësueshëm.
"Afrimet sigurisht që i shërbejnë skuadrës, pasi vetvetiu ekipi bëhet më i fortë dhe më i konsoliduar kur në grup ka lojtarë me cilësi. Lojtarët e afruar së fundmi, mendoj se janë mjaft cilësorë dhe do të na ndihmojnë që të ecim sa më lart. Mendoj gjithashtu se tashmë kemi formuar një skuadër cilësore, e cila mund të përballet denjësisht me cilindo kundërshtar. Por fillimisht duhet të fokusohemi totalisht tek përballja e fundjavës me Vllazninë dhe më pas t'i marrim një e nga një ndeshjet, duke pretenduar vetëm rezultate pozitive", thekson durrsaku.
Durrsakët e konsiderojnë si kundërshtar mjaftë të fortë Vllazninë. "Djemtë e detit" shprehen se e vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin dhe po përpiqen të marrin të gjitha masat e nevojshme për sfidën e së dielës. Përtej respektit për shkodranët, Rizvani shprehet i sigurtë për fitore.
"E respektojmë maksimalisht kundërshtarin dhe po e përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme këtë përballje. Absolutisht nuk i trembemi kundërshtarit dhe fakti që luajmë përpara publikut tonë na ngroh jashtë mase dhe duhet ta fillojmë me fitore në Durrës.”
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





