Durrës, 7 maj 2014 – Portieri dhe kapiteni i Teutës, Bledian Rizvani e shikon si të mundur arritjen e objektivit sezonal, pjesëmarrjen në Europë dhe thotë se Teuta duhet të bëjë detyrën duke fituar në Shkodër.
“Mendoj se ky kampionat është më interesanti për nga mënyra dhe interesimi që kanë skuadrat, duke pretenduar deri në ndeshjen e fundit. Për skuadrën nuk prisja një fundsezoni të tillë, por më tepër, duke arritur edhe më lart. Fitorja e Skënderbeut kundër Partizanit na futi sërish në valle për prerjen e një bilete për në Europë. Besoj se Skënderbeu do të luajë pastër edhe ndaj Laçit. Patjetër që duhet të fitojmë në Shkodër, ndryshe situata komplikohet. Skuadra duhet të përgatitet mirë si moralisht ashtu edhe fizikisht, si dhe të zbresë në fushë vetëm për fitore. Vllaznia me barazimin në Kavajë nuk besoj se e ka të domosdoshme fitoren. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se s’do të jetë e motivuar. Për ne, fitorja do të jetë detyrim. Luajmë sezonin në Shkodër, prandaj të mos e hedhim poshtë punën e një viti të tërë. Ne tashmë e kaluam Partizanin e po kështu kemi mundësi për të kaluar ndërmjet Kukësit si fitues i Kupës së Shqipërisë. Pra, kemi shanse reale për ta kapur Europën, ndaj dhe besojmë. Kam besim se do ta kalojmë Laçin në renditjen përfundimtare dhe më pas të shpresojmë te një “dhuratë” e Kukësit nga finalja e Kupës së Shqipërisë. Unë dhe gjithë skuadra jemi optimistë se do shkojmë në Europë. Në këtë fund sezoni, skuadra po kalon një moment shumë të mirë dhe do përpiqemi të rikuperojmë gabimet që kemi bërë gjatë rrugës. Duhet të kryejmë detyrën tonë në përballjen e fundit me Vllazninë. Vitet e fundit kemi marrë pjesë rregullisht në Ligën e Europës dhe s’e shikojmë veten jashtë këtij kompeticioni. Do të jetë e vështirë për ne, nëse nuk do t’ia arrijmë qëllimit. Do të na duhet të nisim gjithçka nga e para, çka nuk është aspak e favorshme për Teutën”,– deklaroi Rizvani.
Në këtë fund sezoni, Rizvani komenton edhe ecurinë e Teutës këtë kampionat dhe momentet kur ekipi kaloi vështirësi të shumta që e penguan në rrugën për realizimin e objektivave të synuara.
“E nisëm mirë sezonin, ndërsa në dhjetë javët e para po thyenim rekordin e rezultateve pozitive. Skuadra filloi luhatjet në rezultate në mesin e sezonit, me afrimin e donatorëve të rinj dhe prurjeve të reja. Mendoj se ndikuan negativisht në skuadër, pasi lojtarët nuk mund të përshtaten në një kohë të shkurtër. Ndryshimi i trajnerëve ka luajtur rolin e vet, sepse secili prej tyre do kohë të adoptojë filozofinë e lojës së tij te skuadra”,-tha Rizvani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





