DURRËS, 1 nëntor 2014 – Teuta është përgatitur intesivisht për ndeshjen e radhës, në të cilën durrsakët do të kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv. Por Teutës nuk po i ndahet tersi i dëmtimeve. Ndërkohë që Krasniqi duket sikur e ka kaluar dëmtimin, shfaqin problemi Nika dhe Shabani. Dy mesfushorët janë në pikëpyetje për ndeshjen e radhës. Shabani nuk u stërvit gjatë pasdites së fundit më grupin, ndërsa Nika nuk e përfundoi. Gjithsesi, Lika ka në dispozicion lojtarë krahu. Heroi i Teutës në ndeshjen e fundit portieri Bledian Rizvani ka besim se skuadra do të bëjë një paraqitje dinjitoze përballë vendasve të Vllaznisë dhe do pretendoj tre pikët. Sipas kapitenit skuadra e ka kaluar tashmë ngërçin dhe nuk I lejohen më hapa të gabuara. “Kemi punuar me ritme të lartë, me qëllim që të jemi në lartësin e duhur në Shkodër. Fitorja ndaj Flamurtarit ka shtuar besimin dhe na ka motivuar më tepër. Në skuadër tashmë mbizotëron një atmosferë pozitive dhe të gjithë janë optiomistë. Jemi të ndërgjegjshëm se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe njëkohësisht e vështirë, pasi luajmë përballë një kundërshtari me shumë traditë në futbollin shqiptar. Megjithatë, ne kemi besim tek forca e grupit dhe do të udhëtojmë drejt Shkodrës me qëllimin për të marë maksimumin nga kjo ndeshje”. Teuta nuk e nisi mirë fazën e parë të kampionatit, por durrsakët kanë besim se gjatë fazës së dytë do të zvendësojnë pikët e lëna gjatë rrugës. Gjatë prononcimit të tij Rizvani deklaroi se gjatë fazës së dytë të kampionatit do të shikojmë një tjetër Teutë. “Ne nuk e nisëm mirë kampionatin dhe kjo ka një shpjegim. Ne ishim një skuadër në ndërtim e sipër dhe kishim nevojë për pak kohë që të ambjentoheshim, si dhe të fuksiononim si skuadër normale. Tashmë mendoj se skuadra është konsoliduar dhe fuksionon si duhet. Krahas rezultateve, gjatë ndeshjeve të fundit Teuta ka luajtur futboll. Tani e rëndësishme është të korrim rezultate pozitive. Unë mendoj se gjatë fazës së dytë do të kemi ecuri mjaft të mirë dhe do të rikuperojmë të gjitha pikët që kemi lënë gjatë fazës së parë të kampionatit. Fazën e dytë e nisëm me një fitore, të cilën shpresojmë t’i bashkangjisim një tjetër rezultat pozitiv në Shkodër”, përfundoi kapiteni Rizvani.





