16 nëntor 2015 – Ekipi i Teutës është duke u përgatitur për ndeshjen e radhës që do ta luajë në kampionat ndaj Vllaznisë në një fushë asnjanëse, pasi stadiumi “Loro Boriçi” është duke u rikonstruktuar. Shkodranët nuk janë duke kaluar një moment të mirë në kampionat dhe do të kërkojnë pikë, çka pritet që të sjellë në fushë një luftë të fortë mes dy ekipeve.
Trajneri i durrsakëve, Gugash Magani, u ka kërkuar lojtarëve të jenë shumë të vëmendshëm gjatë seancave stërvitore, sepse nuk do ta kenë aspak të lehtë ndaj shkodranëve. Stafi teknik këto ditë ka zhvilluar një stërvitje të fortë, jo vetëm në aspektin fizik dhe taktiko-teknik, por të punojë me futbollistët edhe në aspektin moral. Ekipi i ka mundësitë për ta përgatitur në një kohë më të gjatë këtë sfidë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Gjatë këtyre ditëve trajneri Magani i ka kushtuar një rëndësi të veçantë vendosjes së futbollistëve në fushë, duke kërkuar respektimin me përpikëri të detyrave gjatë gjithë 90 minutave në takimin e radhës.
Ndërkohë kapiteni Rizvani është larguar nga ambientet e spitalit, për t’u bashkuar me familjen ku dhe pret rikuperimin, pas dëmtimit. Sipas mjekëve, ndërhyrja kaloi me sukses dhe gardiani pritet të rikthehet shpejt në gjendje të mirë, pasi nuk kishte komplikacione. Në një bisedë të shkurtër telefonike Rizvani shprehet: “Falënderoj Zotin që operimi shkoi me sukses dhe se tani jam pranë familjes. Më e vështira kaloi, tani jam në fazën e rikuperimit dhe shpresoj që kjo fazë të jetë sa më e shkurtër dhe t’i ribashkohem ekipit. Dua të falënderoj ekipin që m’u gjend pranë dhe i uroj fitore në ndeshjen e radhës me Vllazninë”, ka thënë Rizvani.
/portali DurresLajm/