Teuta është më pranë se kurrë fitimit të tit ullit kampion. Trajneri i portierëve, Bledian Rizvani, tregon momentet e çuditshme që ka përjetuar në pak ditë, së bashku me Stivi Frashërin, nga zhgënjimi i madh për gabimin ndaj Partizanit te lotët e gëzimit në Laç.
Rizvani rrëfen se si e ka përjetuar ai atë moment dhe si e bindi Stivin të bëjë një paraqitje mbresëlënëse vetëm disa ditë pas asaj goditjeje psikologjike të pësuar.
Bledian, katër ditë të përjetuara në mënyra të ndryshme. Si e përgatitët Frashërin për sfidën me Laçin? Këto katër ditë kanë qenë të vështira vërtet, mbas asaj ndeshjeje me Partizanin. Flasim gjithmonë mbas ndeshjes dhe bëjmë analizën për mënyrën si shkoi. Ishte shumë e vështirë ta merrja në telefon, por e mora edhe i thashë:
“Çfarëdo që të them, e di që nuk do të lehtësoj asgjë. E di që dhimbjen tënde s’e ka asnjeri në këto momente, por të them diçka: ‘Jam shumë krenar për ty, për çka ke dhënë deri tani edhe me gabimin që u bë, është normale për mua. Nuk ka problem! Është ndeshja për 4 ditë me Laçin. Unë jam i sigurt që Zoti i ndihmon ato që punojnë edhe jam i sigurt që ti do ta nxjerrësh atë ndeshje duke qenë më i miri sepse e meriton, sepse ke punuar gjithë vitin’”.
Çfarë mendonte Stivi pas asaj ndeshjeje dhe si e bindët?
Stivi u ndie shumë keq dhe më thoshte: “Mora në qafë shokët. U hodha poshtë shokëve djersën”. I thashë në stërvitje: “Stiv, unë kam qenë me Laçin para disa viteve dhe kishim ndeshje me Apoloninë, si finale kush do ngjitej në Superiore. Bëra një gabim te goli edhe u ngjit Apolonia. Ishte ndeshja e fundit, nuk kisha mundësi ta rregulloja gabimin edhe më ka ngelur peng. Ndërsa ti je në kohë t’i nderosh shokët në ndeshjen me Laçin. Unë jam shumë i bindur. Të betohem, – i thosha, – që ti do ta nxjerrësh këtë ndeshje edhe cilësoje veten me fat që ke ndeshje të fortë para”. Ai vetëm më shikonte dhe nuk fliste.
Çfarë i thanë drejtuesit pasi atij momenti?
Drejtuesit e mbështeten të gjithë. Asnjëri nuk e rëndoi. Të gjithë e përkrahën, ashtu edhe shokët e ekipit. Për këtë u jam mirënjohës të gjithëve. Kjo është edhe pika më e fortë e ekipit tonë, të gjithë si një familje e madhe dhe të bashkuar për një qëllim.
Sa i ka rënduar goli i pësuar me Partizanin Stivit?
Goli me Partizanin e rëndoi shumë edhe më tha: “Ishalla është vetëm një ëndërr e keqe dhe shpresoj të zgjohem”. Kam folur shumë këto katër ditë më të dhe i kam treguar të gjithë golat që kam gabuar vetë. I thosha edhe që duhet të bëhemi të fortë edhe kur gabojmë. Flasim shumë së bashku dhe kam marrëdhënie shumë të mirë.
Besonit se Partizani do të mundej dhe situata mund të kthehej? Çfarë keni menduar ju si staf gjatë këtyre ditëve?
Si staf jemi munduar t’u mbajmë lart moralin, t’i bindim të gjithë që asgjë s’ka mbaruar. T’i bindnim që do të shkojmë në Laç edhe do të bëjmë lojën tonë. Ta fitonim ndeshjen duke shpresuar që Vllaznia do merrte një rezultat me Partizanin. Kjo, sepse Vllaznia e ka treguar këtë vit nivel shumë të mirë në ndeshje edhe respekt.
Praktikisht kampion, ishte kjo ëndrra juaj duke qenë se në 2012-ën nuk e realizuat dot si lojtar?
Kampion është një fjalë e madhe dhe është një ëndërr e bukur që duket afër realitetit. Kemi edhe një ndeshje me Apoloninë, e cila duhet vlerësuar në maksimum. Besoj tek ekipi që do t’ia dalim me ndihmën e Zotit. Është e njëjta ndjenjë si në 2012-ën, madje akoma më e bukur. Falënderoj Zotin që jam pjesë e këtij ekipi.
Ndeshja e fundit është përballë Apolonisë, ku veç fitores, duhet edhe të shënoni aq sa Vllaznia, nëse ajo fiton. Sa besim keni tek ekipi?
Ndeshja me Apoloninë ka rëndësi të madhe për ne dhe jemi të bashkuar të gjithë për ta fituar. Unë besoj se do t’ia dalim. Besoj se do ta ngremë atë kupë. Unë besoj te stafi, te të gjithë çunat që do t’ia dalim me shpresën te Zoti.





