8 tetor 2014– Pauza e kampionatit i jep mundësi Teutës për të riorganizuar ekipin, pas rezultateve jo shumë të mira të arritura përgjatë shtatë javëve të para. Ekipi do t’i rikthehet futbollit të luajtur rreth 12 ditë më pas, ku këtë radhë do të kenë përballë Apoloninë, kundërshtar i fortë në fushën e vet. Ndërprerja e kampionatit, për shkak të ndeshjeve të ekipit kombëtar, shikohet si një ogur i mirë nga durrsakët, të cilët përgjatë pauzës do të kenë mundësi për të riaftësuar lojtarët e dëmtuar si Shabani dhe Bardulla. Kapiteni dhe gardiani i Teutës Bledian Rizvani shprehet se duhet harruar sa më shpejt humbja në Kukës dhe të ketë përqëndrim tek kundërshtari i rradhës:  “Duhet ta harrojmë sa më shpejt humbjen në Kukës dhe të përqendrohemi te kundërshtari i radhës. Skuadra në shtatë ndeshje ka grumbulluar vetëm shtatë pikë, ndërkohë që renditet në vendin e shtatë. Kjo koiçidencë numerike na bënë të ndihemi keq, sepse duhet të kishim grumbulluar më tepër pikë gjatë këtyre ndeshjeve. Unë mendoj se pozicionimi aktual dhe pikët e grumbulluara deri më tani, nuk i përshtaten lojës që kemi zhvilluar. Duhet të kishim edhe më tepër pikë. Kemi lënë disa pikë gjatë këtyre ndeshjeve të para, sidomos ndaj Laçit dhe Vllaznisë, pa lënë pa përëndur ndeshjen e fundit në Kukës, ku meritonim të kishim dalë të paktën me një pikë nga "Zeqir Ymeri". Ndaj Kukësit zhvilluam një lojë shumë të mirë, sikurse kemi bërë edhe në përballjet e mëparëshme, por fati nuk ka qenë me ne. Vërtet nuk e kemi nisur si duhet këtë kampionat, por unë dhe shokët e skuadrës kemi besim dhe do të bëjmë të pamundurën që skuadra të arrijë objektivin e saj, i cili është prerja e një bilete për në kupat e Europës. Kampionati është shumë i gjatë dhe kemi mundësi të ngjitemi në tabelën e klasifikimit, duke u renditur një nga tre skuadrat e para. Kemi disa ditë në dispozicion për t'u përgatitur për ndeshjen e radhës dhe këtë periudhë do përpiqemi ta shfrytëzojmë për t'u konsoliduar më tepër si skuadër. Pas rreth 11 ditëve na pret një transfertë e vështirë, nga ku unë mendoj se do të vijë kthesa e madhe. Në Fier duhet të bëjmë autokritikë dhe është i papranueshëm rezultat tjetër përveç fitores.”