Teuta i ka mbyllur përgatitjet për këtë sezon, teksa lojtarët janë stërvitur deri të hënën e më pas skuadra ka filluar pushimet që do të zgjatin deri më datë 4 janar. Do të jetë kjo data në të cilën të gjithë lojtarët do të vihen nën urdhrat e stafit teknik me në krye Gugash Maganin. Gjithsesi, lojtarët durrsakë e kanë të qartë se duhet të vijojnë me përgatitjet individuale.
Futbollistët kanë marrë këshilla që të jenë të kujdesshëm me ushqimin për të mos shtuar në peshë. Kjo pasi rifillimi i stërvitjes do të jetë me një tjetër ritëm dhe përgatitjet fizike do të zënë vendin kryesor dy javët e para. Ndërkohë që për lojtarët mund të kenë nisur pushimet, për drejtuesit e Teutës, presidentin Hasanbelliu dhe trajnerin Magani tani nis puna në merkato ku do të synohet afrimi i lojtarëve që nevojiten për të ardhmen. Kapiteni Bledian Rizvani është shprehur se skuadra është pothuajse e kompletuar dhe nuk ka shumë nevojë për përforcime. “Kam qenë i dëmtuar për disa javë dhe skuadrën e kam parë nga jashtë. Të them të drejtën djemtë janë paraqitur mjaft mirë dhe kjo skuadër është pothuajse e kompletuar.
Mund të ketë nevojë për ndonjë ndërhyrje të vogël në sulm, por dhe ky repart është paraqitur mirë me Arturin (Maganin). Kështu që për mendimin tim, ndoshta nuk do të këtë shumë ndryshime, pasi në këto dy faza të para kemi arritur të jemi të suksesshëm dhe të renditemi në vendin e tretë.Sa i takon aspektit personal, po stërvitem individualisht dhe besoj me grumbullimin e ekipit do të jemi pjesë e grupit”, ka mbyllur Rizvani.