Ndonëse prindër në karrierë, me shumë angazhime në muzikë dhe projekte të tjera përtej artit, dy personazhet e njohur të showbiz-it shqiptar, që në jetë janë edhe çift bashkëshortësh, duket se i kanë shumë të qarta idetë e tyre në lidhje me familjen.

Pasi vajza e tyre Renee festoi tre vjetorin e lindjes vetëm pak muaj më parë, Robert Berisha tregon se planet për fëmijën e tyre të dytë janë shumë të afërta.

Sipërmarrjet e tyre respektive në muzikë, nuk po kthehen në pengesë për çështjen e konceptimit të fëmijës së dytë, pasi siç vetë Roberti rrëfen në intervistën e tij të fundit për emisionin "Talk Talk" të revistës Class, ka ardhur koha për një fëmijë të dytë.

"Këto gjëra nuk lihen kështu pa plan. Renee po rritet dhe ka nevojë për shoqëri, ndaj ne mendojmë se ka ardhur koha për një motër ose një vëlla për të", tregon ai. E kur e pyesin nëse ka preferenca në çështjen e gjinisë, ai thotë me shumë sinqeritet: "Çfarë të sjellë Zoti, vetëm të jetë shëndosh e mirë"!