28 maj 2014 – Aktori i njohur, Robert De Niro, ka folur në një dokumentar për babain e tij, një piktor homoseksual.
Ikona e kinemase tha se i mungon babai, 20 vjet pasi ai ndërroi jetë nga kanceri. Aktori 70- vjeçar ka ruajtur studion e babait të tij në Soho, Nju Jork. Dokumentari i HBO titullohet “Duke kujtuar artistin Robert De Niro Sr.”. “Për mua, ai ishte gjithmonë një artist i madh,” tha aktori.
Ai shtoi se nuk kishte diskutuar shumë me babanë për prirjet e tij homoseksuale, por e pranoi se ai kishte një periudhë të vështirë. “Do doja të flisnim më shumë. Mamaja ime nuk fliste shumë për gjërat dhe është një moshë kur nuk ke interes për disa gjëra,” theksoi aktori.
Ai jetoi kryesisht me mamanë, poeten dhe piktoren Virginia Holton Admiral. Babai i aktorit i kaloi ditët e fundit të jetës në mjerim, ndërsa i biri kapte majat në Hollivud. Gjatë kësaj kohe, aktori tentoi që ta ndihmonte babanë, por ai refuzoi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





