Mesfushori i Spanjës, Rodri mendon se Italia është ndër kandidatët për të fituar Euro 2024, ndërsa theksoi se shokët e tij te “La Roja”, duhet ta vlerësojnë maksimalisht Shqipërinë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho, ndodhen në grup së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

“Jemi në një grup shumë të vështirë. Ne luajtëm me Kroacinë në Europian dhe në Ligën e Kombeve dhe ata janë një kundërshtar i ndërlikuar. Duhet respektuar edhe Shqipëria. E përsëris, do të jetë e vështirë”, tha Rodri për Gazzetta dello Sport.

Italia eliminoi Spanjën në gjysmëfinalen e Euro 2020 tri vjet më parë dhe mesfushori i Manchester City beson se të kaltrit do të jetë ndër kundërshtarët më të ndërlikuar në Europian këtë verë.

“Në edicionin e fundit të Euros, ne arritëm në gjysmëfinale, por humbëm me penallti nga Italia, e cila fitoi trofeun. Një vit më parë, ne morëm pak hak në Ligën e Kombeve, duke i mundur të kaltërit në gjysmëfinale. Italia ka pasur ngritje dhe ulje gjatë viteve të fundit. Nuk u kualifikua dy herë në Kupën e Botës, por fitoi Europianin. Italia mbetet një ekip konkurrues. Është një nga ato skuadra që zakonisht nuk shënon shumë gola, por që gjithsesi duhet respektuar. Mendoj se Italia është ndër kandidatët për të fituar”, u shpreh Rodri.

Spanja e ka fituar tre herë Europianin dhe Rodri është i bindur se kombëtarja e tij mund ta ngrejë sërish trofeun këtë verë.

“Ne duhet të vrapojmë sa një ekip provincial dhe të bëjmë më shumë se të tjerët. Me këtë mentalitet, ne mund të bëjmë gjëra të mëdha”, theksoi ylli i Man City-t.

Italia do të debutoj në Euro 2024 kundër Shqipërisë më 15 qershor në Dortmund.