Rodri, “truri” i lojës së Manchester Cityt, u ndal edhe tek Arsenali pas fitimit të titullit të katërt radhazi në Angli. 

“Gunners” garuan deri në javën e fundit me ekipin e Pep Guardiolës, por pa mbërritur dot te suksesi i shumëpritur.

Mesfushori spanjoll vlerësoi skuadrën e Mikel Artetës, ndërkohë që u ndal edhe tek aspekti që bëri diferencën në triumfin final në Premier League.

“Arsenali zhvilloi një sezon të pabesueshëm, por diferencën e bëri mentaliteti. Kur ata erdhën këtu në ‘Etihad’ për t’u ndeshur me ne… nuk donin të na mundnin. Ata thjesht dëshiron një barazim përballë nesh. Një pikë ishte e mjaftueshme për ta”, deklaroi 27-vjeçari nga Madridi duke iu referuar ndeshjes së 31 marsit që u mbyll 0-0.

City siguroi titullin e gjashtë në shtatë vitet e fundit, duke konfirmuar dominimin në kampionatin më të bukur në planet.

Ndërkohë, Arsenali përjetoi zhgënjimin e dytë radhazi, pasi edhe vitin e kaluar ishin afër fitimit të titullit.