Roja bregdetare algjeriane ka qëlluar për vdekje dy turistë që po pushonin në Marok, të cilët dyshohet se kishin humbur në ujërat algjeriane me jetski-t e tyre.
Raportohet se 4 turistët francezo-marokenë ishin nisur nga vendpushimi i Saidias në Marok. Një prej tyre është arrestuar nga roja bregdetare algjeriane që po patrullonte brigjet.
Të dy kombet kanë një histori të gjatë tensionesh, të lidhura me pretendimet e Marokut ndaj Saharasë Perëndimore.
Kufiri mes tyre u mbyll në vitin 1994, ndërsa Algjeria i ndërpreu marrëdhëniet dy vjet më parë. Ajo akuzoi Marokun për akte armiqësore, një akuzë e refuzuar nga Rabati zyrtar.
Të shtënat shkaktuan zemërim në Marok pasi një peshkatar postoi pamjet e një trupi të pajetë që notonte në det.
Mohamed Kissi ishte i vetmi nga grupi prej katër vetash që u kthye në Marok, raporton agjencia e lajmeve AFP, duke cituar mediat marokene.
“Ne humbëm, por vazhduam derisa u gjendëm në Algjeri,” tha Kissi, vëllai i të cilit u vra. Ai tha se grupi i turistëve kishte mbetur gjithashtu pa karburant.
“Ne e dinim se ishim në Algjeri sepse një gomone e zezë algjeriane erdhi drejt nesh” dhe ata në bord “qëlluan drejt nesh”, rrëfeu ai.