Qeveria greke njoftoi se ka shpëtuar qindra emigrantë pranë ishujve të Kretës dhe Gavdosit, duke regjistruar një rritje prej 350% të mbërritjeve këtë vit, sipas “Reuters”.

Rruga Tobruk-Kretë është bërë një korridor i rëndësishëm për emigrantët nga Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe Azia Jugore, përfshirë ata që ikin nga konflikti në Sudan.

“Autoritetet greke kanë shpëtuar qindra emigrantë në një seri operacionesh pranë ishujve jugorë të Kretës dhe Gavdosit që nga e premtja (4 korrik)”, tha roja bregdetare.

Rritja e numrit të kalimeve të emigrantëve nga Libia në ishujt grekë, konkretisht nga Tobruku në Gavdos dhe Kretë, ngre pyetje nëse kjo rrugë po bëhet një korridor emigrimi gjithnjë e më i rëndësishëm.

Vetëm dje, mbi 430 migrantë u shpëtuan në Gavdos, ishulli jugor i Greqisë. Në një incident tjetër, agjencia kufitare e BE-së, “Frontex”, shpëtoi 96 emigrantë pranë Kretës.

Në total, rreth 750 migrantë mbërritën në Kretë gjatë fundjavës, shumica e të cilëve ishin nisur nga qyteti portual libian i Tobrukut.