PRISHTINE, 2 mars 2013 – Ndryshimet e paralajmëruara në kabinetin qeveritar mësohet se do të konkretizohen deri javën e ardhshme. Burime të Radio Kosovës brenda dy partive në pushtet, Partisë Demokratike dhe asaj Aleanca Kosova e Re kanë konfirmuar se bisedimet për ndryshime do të vazhdojnë edhe sot në mes partnerëve të koalicionit.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re janë në fazën përfundimtare të marrëveshjes për ndryshime në kabinetin qeveritar.
Sipas të njëjtave burime, Aleancës Kosova e Re do t’i jepet Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe emri i ministrit është vendosur të jetë shefi aktual i Rrjetit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë (KOST) Fadil Ismaili.

Ndërsa, Besim Beqaj, mësohet se do të lëvizë në Ministrin e Integrimit. Megjithatë, ai ka kërkuar të shkojë ministër i Financave pas largimit të Bedri Hamzajt. Për postin e ministrit të Financave është në kombinim aktualisht edhe Safete Hadërgjonaj që kryeson Komisionin Parlamentar për Financa si dhe Behxhet Haliti, shefi aktual i departamentit të Administratës Tatimore.

Ajo që dihet gjithashtu është se Bajram Rexhepi do të lërë postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Për ta zëvendësuar në këtë post mësohet se personi më i pëlqyer është Vlora Çitaku, ministrja aktuale e Integrimit.

Lëvizje pozitash do të ketë edhe në nivel zëvendësministrash, për të cilat AKR ka kërkuar katër pozita. Megjithatë, deri më tani, askush nuk ka pranuar të flas zyrtarisht as në Partinë Demokratike e as në Aleancën Kosova e Re lidhur me bisedimet për ndryshimet në qeveri.