KORCË – “Greqia do të mbështesë Shqipërinë në hapat e saj drejt rrugës së integrimit të BE-së”. Kështu ka deklaruar nga qyteti i Korçës ambasadori grek Leonidhas Rokanos, teksa ka zhvilluar një vizitë kortezie në bashkinë e qytetit juglindor. 

Ai ka theksuar se qëllimi i tij është forcimi i marrëdhënieve mes dy shteteve dhe mbarëvajtja e këtyre raporteve në të ardhmen. Më tej diplomati grek ka vlerësuar bashkëpunimin mes qyteteve të ndryshme shqiptare dhe greke ndërsa është shprehur i impresionuar nga ajo që ka parë duke përmendur ndër të tjera kulturën bizantine. 

Diplomati tha gjithashtu se ka diskutuar me kryebashkiakun Peleshi për krijimin e projekteve ndërkufitare si dhe ndërtimin e ndërmarrjeve shqiptaro-greke në qytetin juglindor.