Tarifa prej 2 eurosh e vendosur për hyrjen e turistëve dhe vizitorëve jo rezidentë në zonën e Fontana di Trevi ka hyrë në fuqi të hënën, duke shkaktuar reagime të kundërta mes autoriteteve vendore dhe shoqatave të konsumatorëve.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Komuna e Romës, nga ora 9:00 deri në orën 21:00 në zonën e monumentit kanë hyrë gjithsej 6.406 persona, prej të cilëve vetëm 86 ishin banorë të Romës dhe zonës metropolitane.

Autoritetet e Romës e kanë cilësuar pozitiv nisjen e sistemit të ri të vizitës, i cili përfshin jo vetëm biletën me pagesë prej 2 eurosh, por edhe rregullimin e fluksit të vizitorëve.

Sipas një njoftimi zyrtar, sistemi i pritjes ka qenë efektiv dhe ka mundësuar, nga ora 9:00 deri në 18:00, pritjen e mbi 5.000 vizitorëve, duke garantuar një përvojë më të rregullt, qëndrim më të lehtë në zonë dhe përmirësim të cilësisë së vizitës në një nga monumentet më të rëndësishme të Romës dhe trashëgimisë kulturore italiane.

Vlerësim krejt të kundërt ka dhënë organizata Codacons, e cila e ka quajtur masën një “dështim”. Sipas saj, numri i vizitorëve ka qenë shumë më i ulët se mesatarja ditore prej rreth 30 mijë personash.