Kërcënohen me jetë futbollistët e Romës. Një mëngjes aspak i këndshëm ka aguar në kryeqytetin italian ku mbeshtetesit ultras te skuadres verdhekuqe kanë dhënë një mesazh aspak etik ndaj lojtareve të skuadrës së Spallettit. Në afërsi të Amfiteatrit të Coloseut, një pankartë e madhe me mbi shkrimin “Një këshillë, pa ju ofenduar, flini me drita ndezur”, ka tmerruar jo pak dëshmitarët e kësaj ngjarjeje. Frika bëhet më e madhe, pasi poshtë kësaj banderole ishin të varur katër manekinë dhe u ishte veshur fanella e Daniele De Rossit, Radja Nainggolan dhe sulmuesit Salah. Kërcënimi vjen fill pas humbjes në derbin e kryeqytetit, atë kundër Lazios, që mesa duket nuk është pritur aspak mirë nga ana e disa tifozëve, duke patur parasysh edhe faktin që Romës i rrezikohet dhe vendi i tretë në kampionat, që do t’u siguronte kualifikim direkt për në Champions League.
Ndërkohë që policia ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen. Uniformat blu kanë zhvendosur manikinat dhe një pjesë të banderolës. Një gjest vërtet i patolerueshëm për një qytet që jeton me futbollin, por gjithashtu konfirmues i faktit se tifozeria romane mbetet një nga më problematiket në Itali. Ky nuk është rasti i parë që tifozët verdhekuq shkojnë deri në forma të tilla protestash për të kontestuar skuadrën e tyre. Pas disfatës në finalen e Kupës së vitit 2013 kundër Lazios ata u zhvendosën në qendrën stërvitore të Trigorias duke kërcënuar për disa ditë rresht skuadrën. Aktualisht Roma mban vendin e dytë në kampionat me vetëm një pikë më shumë se Napoli dhe mosrealizimi i objektivit për kualifikimin direkt në fazën e grupeve të Champions League do të konsiderohej një dështim për skuadrën e Luciano Spalletit.