DURRES- Urimet publike për ditëlindje janë bërë një gjë e zakonshme në Durrës, duke krijuar një traditë të panjohur më parë. 

Më të shumtën e rasteve banderolat me gjatësi 7-8 metra dhe të shkruara me tollumbace shumëngjyrëshe vendosen në fillim të bulevardit "Epidamn", aty ku sheshi qendror i qytetit bregdetar mbyllet në anën juglindore të tij dhe ku kalojnë çdo ditë mijëra njerëz. 

Po çfarë shkruajnë të rinjtë në urimet e tyre publike, që u ngjasojnë reklamave të kompanive të mëdha? 

Në banderolën që përgatitet me një mori tollumbacesh me ngjyra, fraza më e shkurtër dhe më e zakontë është

"Edhe 100"; shpesh është e pranishme një zemër e kompozuar me ngjyra të ndezura e në fund edhe iniciali i djalit të dashuruar që ka porositur urimin.

Ndonjëherë nuk mungon emri i vajzës, (qoftë edhe i shkurtuar), së cilës i kushtohet urimi. 

Sidoqoftë, banderolat me ngjyra, që vendosen herë pas here në qendër të Durrësit sjellin një ndjenjë të këndshme festive dhe kalimtarët u bashkohen urimeve personale të të dashuruarve, ndërsa nuk mungojnë turistët me aparate fotografike që fiksojnë një tjetër element nga tradita e re e qytetit antik.