Itali, 29 gusht 2014 – Rasti i 22 vjeçarit shqiptar Romino Vëllku, emigrant në Luka, u bë problem një vit më parë edhe në parlamentin italian.
Romino, që në kohën kur ishte minoren, kishte pasur probleme me drejtësinë italiane. Në vitin 2010 ishte dënuar me gjykim të shkurtuar me 2 vjet e 2 muaj burg dhe 600 euro gjobë për grabitje me dhunë të një pensionisteje 73 vjeçare.
Në këtë vjedhje Romino ishte ndihmuar edhe nga e dashura e tij çeke. Romino (18 vjeçar në atë kohë) u arrestua bashkë me katër shqiptarë të tjerë si pjesëtar i bandës, që kishte për kapobandë Shkëlzenin, babanë e Rominos.
Pas mbarimit të dënimit autoritetet italiane u përpoqën ta dëbojnë nga Italia, por deputeti i majtë Federico Gelli e ngriti çështjen e të riut shqiptar në Parlamentin Italian si një rast i shkeljes së të drejtave të njeriut, sepse Romino duhej konsideruar si italian dhe nuk mund të dëbohej pavarësisht pjesëmarrjes në organizatë të strukturuar kriminale, që kur ishte minoren.
Fatkeqësisht Romino nuk heq dorë nga vesi i vjedhjes. Të mërkurën e 28 gushtit, 22 vjeçari shqiptar, në bashkëpunim me një hajdut 19 vjeçar italian, u përpoq të vidhte biçikletën e një klienti në një dyqan në qendër të Lukës.
Biçikleta ishte e një marke të njohur dhe vlente së paku 1 500 euro. Shitësja e dyqanit dha alarmin e në bashkëpunim me policë civilë dhe me uniformë bëri të mundur arrestimin e Rominos dhe “kolegut” të tij italian.
Që të dy i rezistuan arrestit duke goditur policët me grushta e shkelma, madje edhe në pranga vazhdonin të pështynin policët dhe t’i shanin me fjalor banal.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





