Cristiano Ronaldo rrumbullakosi mbrëmë 100 gola në garat europiane. E bëri këtë në “Allianz Arena”, ndaj Bayern Munich, në të ashtuquajturën klasike e Europës. Mënyrë më të shkëlqyer për t’i dhënë fund thatësirës prej 6 ndeshjesh pa shënuar në Ligën e Kampionëve, këtë sezon, nuk mund të kishte. Ai është lojtari i parë në histori, që arrin shifrën e 100 golave në kompeticione të tilla europiane. Gjithashtu, CR7 mbërriti golin e tij të dhjetë në nëntë ndeshje, që ka luajtur në tokën gjermane. Katër herë fituesi i “Topit të Artë” mburrej me rekordin e ri në rrjetet sociale, ku kishte hedhur një video përkujtimore dhe shkruante: “Jam i gëzuar për fitoren e sotme dhe që kam arritur 100 gola në garat europiane. Shumë faleminderit të gjithë shokëve të mi dhe trajnerëve.”
Në fakt, portugezi nuk vinte në “Allianz Arena” në momentin më të mirë të tij. “Luso” u caktua nga Zidane për të tërhequr BBC dhe ai e bëri. Këtë sukses Ronaldo e ka arritur me Manchester Unitedin dhe Real Madridin, teksa në 143 ndeshje ka shënuar 100 gola. Në vendin e dytë është Leo Messi, që në 118 ndeshja ka shënuar 97 gola, por është edhe më i ri në moshë se portugezi. Raul Gonzales plotëson “podin tresh” me 76 gola, ndërsa top-pesëshen e përmbyllin Filipo Inzaghi me 70 gola dhe Gerd Muller me 69 gola.