Ashtu siç ishte parashikuar, Cristiano Ronaldo është shpallur lojtari i vitit nga FIFA. Kjo është hera e pestë që sulmuesi portugez ka marrë çmimin më prestigjioz personal duke barazuar Lionel Messi-n.

Gjatë marrjes së çmimit, Ronaldo ka falënderuar të gjithë, nga tifozët, shokët e ekipit, trajnerin dhe presidentin. Ky ka qenë një vit tepër i suksesshëm për Ronaldo-n, i cili ka fituar La Liga, Champions League, Superkupën spanjolle dhe Superkupën e UEFA-s gjatë 2017

“Dua të falënderoj të gjithë që më keni votuar. Duhet të përmend edhe Lionel dhe Neymar. Tifozët e Real Madrid, ekipin tim, trajnerin dhe presidentin. Ju falënderoj të gjithëve. Jam shumë i lumtur. E vlerësoj këtë çmim dhe jam shumë i lumtur.”

Zinedine Zidan u shpall trajneri më i mirë i vitit në një garë ku mundi Antonio Conten e Chelsea-t dhe Allegrin e Juventusit. Zidan u bë trajneri i parë që drejton një klub në fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampioneve, sukses që i dha edhe trofeun e FIFA-s.

Pati vend për tu nderuar në podiume dhe Buffon. Italiani 39-vjeçar u shpall portieri më i mirë, duke marrë trofeun nga duart e legjendës Peter Schmeichel, ndërsa Lieke Martens u zgjodh futbollistja më e mirë, vlerësim për paraqitjen e Holandës në fitoren e Europianit.

Mes golave spektakolarë të vitit FIFA zgjodhi rrjetën e Olivier Giroud si perlën që impresionoi tifozët. Goditja me takë e sulmuesit francez në 1 janar të 2017 ndaj Cristal Palace, u vlerësua e denjë për Çmimin Pushkash.