Cristiano Ronaldo ka shprehur gatishmërinë për të paguar shifrën prej 14.7 milionë eurosh dhe të bëjë një pakt me gjykatën, për të evituar dënimin me burg për akuzën e evazionit fiskal, lajm ky që u publikua nga “Radio Cope”.Sipas kësaj të fundit, në rast se gjykata do ta cilësojë evazionin e Ronaldos si krim, e nëse ai do të refuzojë paktin, atëherë rreziku që ai të shkonte në burg do të ishte i madh.
Më 31 korrik, Ronaldo do të shfaqet në Gjykatën e Shkallës së Parë për t’iu përgjigjur akuzave për evazion, e pas kësaj futbollisti ka 60 ditë kohë për të paguar këtë shifër, veprim ky që sipas “Radio Cope” do ta kryejë, gjë që do t’i shërbejë shumë për zbutjen e dënimit të tij dhe për të hedhur bazat për një akord tjetër, në mënyrë që ai të mos shfaqet në sallat e gjyqit.Nëse kjo gjykatë do të vendosë që Ronaldo ka kryer një krim dhe do të kalojë çështjen në Gjykatën e Apelit të Madridit, atëherë gjithçka do të varet nga deklarata e Ronaldos dhe strategjia e avokatëve të tij.