16 shtator 2015 – 8 gola në vetëm 4 ditë për tu dhënë një përgjigje të gjithë kritikëve. Ky është Cristiano Ronaldo, tri herë fituesi i Topit të Artë dhe njeriu që ka bërë të ëndërrojnë tifozët e Realit të Madridit gjatë këtyre viteve. Pas 5 golave ndaj Espanyolit në fundjavën e kaluar dhe 3 rrjetave në sfidën e fundit të Championsit ndaj ukrainasve të Shakhtar Donetsk, portugezi është vetëm 1 finalizim larg Raul Gonzalesit, golashënuesit më të mirë të gjithë historisë së Realit, për të qenë ai më i miri i të gjithave kohërave te Los Blancos. Pas 8 golave të shënuar në vetëm dy ndeshje Ronaldo gjeti mundësinë për të ironizuar edhe me të gjithë ata që vunë në diskutim aftësitë e tij gjatë 2 muajve të fundit, ku luzitani nuk shfaqi formën e tij më të mirë.

“Jam i kënaqur, është krenari për mua të ndodhem në këtë pozicion. Dua të falënderoj ekipin pasi më ndihmon shumë. Përpara disa ditësh isha një futbollist i keq ndërsa tani jam një lojtar i shkëlqyer sepse shënova 8 gola”.

Në vijim të intervistës së tij Cristiano Ronaldo foli edhe për nisjen që i ka bërë sezonit Reali i Madridit.

“E dinim që ndeshjet përgatitore të verës nuk ishin shumë të rëndësishme prandaj objektivi jonë ishte ta nisnim sa më më mirë La Ligan dhe Championsin. E filluam pak keq kampionatin me një barazim, por që nga ai moment jemi përmirësuar shumë dhe po zhvillojmë paraqitje pozitive. Shpresoj të vazhdojmë me këto ritme”.

Pas tre fitoreve me rezultate shumë të thella ndaj Betis, Espanyolit dhe Shaktharit, sfidën e radhës Reali i Madridit do ta ketë të shtunën në orën 16:00 përballë Granadës.

/portali DurresLajm/