Jeta e Cristiano Ronaldos në Torino nuk është se po ecën edhe aq mirë, të paktën për sa i përket fushës së lojës. Të gjithë janë në pritje të golit të parë të portugezit dhe pas tri ndeshjesh, pritja duket se po bëhet stres.

Megjithatë, mbërritja e një superylli të tillë në Itali ka bërë që në dy stadiumet ku Juventus ka luajtur si skuadër vizitore të shiten të gjitha biletat. Një numër i madh tifozësh të interesuar edhe për portugezin, pavarësisht se është kundërshtar me ta.

Gjatë udhëtimit për në Verona ku bardhezintjë u ndeshën me Chievon, drejtuesit e klubit morën masa të veçanta për sigurinë e Ronaldos, duke menduar që ishte ende ndeshja e tij e parë në futbollin italian.

Por ndërsa në fushën e lojës CR7 ka treguar se mund të përballojë forcën dhe ndërhyrjet e ashpra të mbrojtësve italianë, jashtë saj nuk është shumë i kënaqur. Por me sa duket kjo nuk ka mjaftuar dhe sipas “Corriere dello Sport”, Ronaldo ka kërkuar truproja shtesë për të dhe familjen e tij, i shqetësuar sepse vila luksoze ku ai jeton është shumë e ekspozuar.

Portugezi raportohet t’i ketë kërkuar Juventusit të organizojë edhe dy grupe të tjerë shtesë me roje, një për familjen e tij dhe një që të qendrojë në mënyrë të përhershme në shtëpinë e tij, për të shmangur vizitorë të paftuar.