Edhe pse humbi titullin në Spanjë, Cristiano Ronaldo përjetoi një sezon perfekt, duke fituar trofetë më të lakmuar: Champions dhe Euro 2016. Triumfi në turneun kontinental u cilësua një moment i paharrueshëm nga ylli i Realit, që realizoi objektivin. Përveçse një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit, Ronaldo do të mbahet mend si kapiteni i Portugalisë kampione të Europës. Cristiano Ronaldo: “Jam shumë i lumtur. Ishte një triumf të cilin kisha kohë që e kërkoja. Në vitin 2004, pas finales së humbur, i kërkova zotit të më jepte një tjetër shans, pasi Portugalia dhe këta lojtarë e meritonin. Në finalen ndaj Francës isha i pafat dhe gjërat nuk shkuan mirë për mua, pas dëmtimit në minutat e para. Por, gjithmonë kisha besim te kapaciteti i bashkëlojtarëve të mi dhe te strategjitë e trajnerit. Ky është një prej momenteve më të lumtura në karrierën time. E kisha thënë gjithmonë se dëshiroja të fitoja me Kombëtaren, për të hyrë në historinë e Portugalisë. E merituam suksesin, pas sakrificave shumë-vjeçare. Fituam edhe pse askush nuk besonte te ne. Është një trofe për të gjithë portugezët, për të gjithë emigrantët dhe jam shumë krenar.”Në këtë mënyrë Cristiano Ronaldo nuk harroi 1,2 milionë emigrantët portugezë që jetojnë në Francë, ndërsa tashmë bëhet gati për fitoren e radhës. Me vitin historik, portugezi është kandidati kryesor për të fituar edhe Topin e Artë 2016.