2 dhjetor 2014 – Cristiano Ronaldo, Lionel Messi dhe Manuel Neuer, janë këto tre finalistët përfundimtar për Çmimin e “Topit të Artë”, që do të jepet me datë 12 janar në Zyrih të Zvicrës. Fifa zyrtarizoi tre kandidatët për trofeun më prestigjoz në planin individual, që këtë vit ka ndezur jo pak polemika, pasi ka shumë prej atyre që mendojnë se në këtë garë duhen marrë parasysh dhe trofetë e fituar nga një prej kandidatëve me klubin e tij ose përfaqësuesen e tij. Manuel Neuer në këtë aspekt do të ishte i favorizuari absolut, pasi ka fituar Botërorin me Gjermaninë dhe Bundesligën e Kupën e Gjermanisë me Bajernin, ndërsa në krahun tjetër Ronaldo, përvecse u shpall “Këpuca e Artë” e Europës arriti të fitojë Champions League, duke qenë dhe golashënuesi më i mirë i këtij kompeticioni por gjithashtu dhe Kupën e Mbretit.
Ndërkohë Messi, që është mes tre më të mirëve për të tetin vit radhazi, me Barcelonën pati një vit të varfër në trofe, por me Argjentinën arriti në finalen e Botërorit dhe gjithashtu theu dy rekorde, atë të Raul në Champions dhe Zarrës në kampionat. Sa i përket trajnerëve më të mirë, në garë do të jenë Carlo Ancelotti i Realit të Madridit, Diego Pablo Simeone, kampion i Spanjës me Atleticon dhe Joachim Loeë që udhëhoqi Gjermaninë drejt titullit të katërt botëror. Sa i përket kandidateve finaliste për femra, si zakonisht nuk mungon braziliania Marta, por dhe gjermania Kessler e amerikania Wambach. Goli më i bukur ndërkohë do të zgjidhet mes tre kandidaturave, atij të realizuar nga James Rordriguez, Stephanie Roche dhe Robie Van Persie, ku dy prej të cilëve u realizuan gjatë Botërorit brazilian.





