Cristiano Ronaldo nuk po kalon një moment të mirë dhe konfirmimi i radhës për këtë, pas penalltisë së humbur në ndeshjen kundër Austrisë, ka ardhur mëngjesin e sotëm kur sulmuesi ka humbur kontrollin me një gazetar. Portugalia ka qenë zhgënjyese deri tani në këtë Evropian dhe sot në mbrëmje kundër Hungarisë rrezikon eliminimin.

Ndërsa lojtarët portugezë kanë dalë për të bërë një shëtitje në Lion, para kësaj ndeshje shumë delikate, një gazetar i është afruar Ronaldo-s dhe e ka pyetur nëse ishte gati për ndeshjen. Në vend që të përgjigjej, Cristiano i ka marrë mikrofonin nga duart dhe e ka hedhur në liqen. Një gjest që po bën xhiron e botës dhe që tregon se ylli i Real Madrid dhe i Portugalisë nuk është aspak i qetë.

Një lajm i mirë për kombëtaren tonë që ka akoma shpresa për t’u kualifikuar në rast se Portugalia humbet me Hungarinë dhe njëra mes Austrisë dhe Islandës fiton, gjithmonë nëse Belgjika dhe Italia do të bëjnë detyrën në grupin e tyre, duke mundur ose duke marrë një barazim ndaj Suedisë dhe Irlandës.