Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka njoftuar planet për tërheqjen nga kompeticionet futbollistike ndërkombëtare. 

CR7 luan Kampionatin e tij të 6 Europian. Mbrëmë, Portugalia u kualifikua me penallti përballë Sllovenisë. Por në pjesën e parë të shtesave, Ronaldo humbi një penallti që u prit nga portieri slloven, duke bërë që ai të shpërthente në lot. Gabimin “e rregulloi” duke realizuar kur ndeshja shkoi me penallti. 

Tashmë 39-vjeçar, Euro 2024 duket se do të jetë Kampionati i tij i fundit Europian. 

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë ai për gazetën portugeze “O Jogo”. 

“Është padyshim Kampionati im i fundit Europian. Por nuk emocionohem për këtë, unë emocionohem për gjithçka që ka të bëjë me futbollin. Nuk bëhet fjalë për të lënë futbollin, sepse nëse e bëj, çfarë tjetër do të më duhej të bëja apo të fitoja? Të bëj njerëzit të lumtur është ajo çka më motivon më shumë”, ka thënë Cristiano Ronaldo.