Juventusi triumfoi me rezultatin 3-1 ndaj Genoas, duke regjistruar kështu fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe duke konsoliduar disi pozitat në zonën Champions të renditjes, megjithatë qetësia duket se nuk është rikthyer ende në kampin bardhezi.

Për të bërë rrëmujë këtë herë ka menduar portugezi Cristiano Ronaldo, që i mërzitur shumë për faktin që nuk arriti të shënojë asnjë nga tre golat e ndeshjes, hodhi fanellën në tokë në përfundim të ndeshjes dhe u largua i nervozuar drejt dhomave të zhveshjes.

Gjesti i portugezit shkaktoi polemika të shumta dhe ishte i rëndë për t’u parë, ndërsa në Itali mediat këmbëngulin edhe për një pakënaqësi të tij ndaj Moratës dhe Chiesës, të cilët nuk e shërbyen si duhet në disa momente gjatë ndeshjes.Tekniku i Juventusit, Andrea Pirlo mori në mbrojtje Ronaldon në përfundim të ndeshjes, duke thënë se “një reagim i tillë është normal për kampionë që duan të shënojnë gjithmonë dhe të lënë gjurmë në çdo ndeshje”.

Fanellën e hedhur në tokë të portugezit e rrëmbeu menjëherë një nga djemtë që kapnin topat jashtë vijave anësore, ndërsa vetë Ronaldo u mjaftua me një postim në llogarinë e tij në Instagram, ku shkroi “vazhdojmë kështu”.

Ndërkohë tifozët e Juventusit nuk e kanë pritur aspak mirë këtë gjest të “beniaminit” të tyre dhe kanë reaguar me komente mjaft të ashpra në rrjetet sociale.