Spanjë, 30 prill 2014 – Kristiano Ronaldo me të drejtë mund të quhet makinë golash. Ylli portugez i Realit të Madridit, përveçse i dha kualifikimin ekipit në finalen e madhe të Lisbonës, ka thyer edhe rekordin e Lionel Mesit në Champions. Në duelin ndaj Bajernit në Mynih, Ronaldo ka shënuar golin e tij të 16-të sezonal, duke thyer kështu rekordin me 14 gola të Mesit dy sezone më parë, kur i shënoi në 11 ndeshje. Duke bërë raportin e minutave të aktivizuara dhe ndeshjeve të luajtura, rezulton se ylli argjentinas ka shënuar një gol në 71 minuta. Mirëpo lojtari, i cili ka mesatare minutash më të mirë, është Mario Gomez, që në sezonin 2011-2012 shënoi 12 gola, por që realizoi një gol në 57 minuta aktivizim. Golashënuesi më i mirë i Champions- it ka qenë Rud van Nistelroi, i cili në sezonin 2002-2003 shënoi 12 gola me Mançester Junajtid. Në sezonin 2010-2011 e barazon Mesi, por që një sezon më pas mbante rekordin me 14 gola. Kurse Kristiano Ronaldo rezultatin më të mirë e kishte në sezonin 2012-2013, kur shënoi 12 gola. Teksa i vuri “flakën” Mynihut, Ronaldo ka mbetur shumë i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin historik të marrë në këtë gjysmëfinale.

Është meritë e Karlo Ançelotit, i cili ndryshoi mentalitet dhe na forcoi si nga ana taktike dhe psikologjike”, – nis deklaratën për shtyp Ronaldo, duke dalë kundër Murinjos në mënyrë indirekte, teksa thotë: “Luajtëm në mënyrë fenomenale. Jemi në finale! Ky ishte qëllimi ynë. Kemi pritur gjatë për këtë sukses dhe nuk kemi për ta lënë të na iki prej duarve. Nuk ka qenë aspak një surprizë. Ne shfrytëzuam të gjitha shanset, duke e goditur Bajernin në momentin dhe vendin e duhur. Rekordi? Nuk ishte ky qëllimi im. Megjithatë, jam shumë krenar që shënoj për të ndihmuar ekipin të realizojë objektivat. Finalja? Nuk kam preferenca. Luaj në shtëpi dhe trofeu i 10-të po afron”, – përfundoi Ronaldo.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/