29 nëntor 2013- Kristiano Ronaldo është shpallur si futbollisti më i mirë nga një listë me 100 emra që ka publikuar revista britanike “Fourfourtwo” (“Katërkatërdy”). Në intervistën e tij, portugezi ka deklaruar se sivjet parashikon një sezon mjaft të suksesshëm me Realin, duke fituar titullin kampion dhe Champions-in. Gjithashtu, i është kundërpërgjigjur Sep Blaterit dhe mendon se nuk ka asnjë rivalitet mes tij dhe Leo Mesit, pasi janë futbollistë me karakteristika shumë të ndryshme…
Si e parashikoni këtë sezon me Realin?
Mendoj se do jetë shumë i suksesshëm, duke fituar si titullin kampion, ashtu edhe Champions-in.
Ju është dukur korrekt imitimi i Blaterit?
Nuk jam i sigurt nëse termi “komandant” është i duhuri për mua. Kemi shumë liderë në skuadër dhe jo vetëm brenda fushës, por edhe jashtë saj.
Rivaliteti juaj me Lionel Messin duket i përjetshëm…
Jemi futbollistë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Nuk ekziston asnjë rivalitet mes nesh, për shumë arsye sportive.
Rivaliteti juaj është krahasuar me atë Ali-Fraizer apo Mekenro-Borg…
Në të dy shembujt që keni nxjerrë, bëhet fjalë për sporte individuale, boks dhe tenis. Futbolli është kolektiv. Kushdo mund të bëjë një paraqitje të shkëlqyer personale, por askush nuk mund të fitojë trofe nëse nuk ka shokë të një niveli maksimal në ekip. Unë e di që nuk do isha lojtari që jam pa shokët e skuadrës, pa trajnerët, pa tifozët, për të cilët edhe luaj. Gjithashtu, edhe pa familjen time. Janë shumë elemente që ndikojnë në ecurinë e një futbollisti.
Deri tani keni pasur një ecuri të shkëlqyer. Mendoni se do shpalleni golashënuesi më i mirë, si në kampionat ashtu edhe Ligën e Kampioneve?
Golashënuesi më i mirë në të dyja kompeticionet? Do ishte e pabesueshme nëse do ia dilja mbanë.
Si po ecën bashkëpunimi juaj me blerjen më të shtrenjtë në histori, Garet Bejlin?
Më pëlqen të luaj me Garetin. Nuk e di nëse të dy e kemi të pamundur për të mbrojtur në fushë, ashtu siç thotë Serxhio Ramos… Garet është një futbollist shumë i mirë dhe na ndihmon pa fund në repartin e avancuar. Ashtu siç ndodhte me Uejn Runin, unë kuptohem mjaft mirë me të. Është e lehtë të bashkëpunosh me futbollistë të mëdhenj.
Burimi: http://www.panorama-sport.com/la-liga/sjam-komandant-me-mesin-ska-rivalitet/#ixzz2m2omyTJN





