Cristiano Ronaldo bën një tjetër deklaratë besnikërie ndaj Realit të Madridit. Sulmuesi portugez, i cili së fundmi po flitet për një largim në drejtim të Paris SaintGermain, theksoi pas ndeshjes me Malmon se ndihet shumë mirë te klubi “merengues” dhe se ai nuk ka ndërmend të largohet nga kryeqyteti spanjoll.

"Të gjithë këto janë zëra spekulativë që shfaqen çdo vit. Në një farë mënyre njerëzit janë mësuar me këtë situatë rreth meje. Unë ndihem shumë mirë te ky klub që më ka ndihmuar shumë që të arrij në nivelet aktuale. Jam shumë i lumtur këtu”, u shpreh Cristiano. Ndërkaq, CR7 vendosi një tjetër rekord në Ligën e Kampioneve. Ai shënoi 4 herë në portën e Malmos, duke e mbyllur fazën e grupeve me 11 gola, gjë që nuk e kishte bërë askush më parë.

Në të njëjtën kohë ai u bë i pari futbollist i Realit të Madriditi që shënon 4 gola në një ndeshje të vetme të Ligës së Kampioneve, ndërkohë që rekordin absolut në këtë pikë e mbajnë Messi dhe Luiz Adriano me 5 finalizime.