Ronela Hajati me këngën “Sekret” ia doli të jetë fituesja e edicionit të 60-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Kënga, me tekst dhe muzikë nga vetë Ronela fitoi çmimin e parë, ashtu siç ishte parashikuar të ndodhte edhe nga shikimet në YouTube.

Në vend të dytë u rendit Alban Ramosaj me këngën “Theje”. Gara e fortë mes të dyve ishte vënë re prej kohësh nga komentet dhe klikimet në këngët e tyre përkatëse në Youtube. Me një diferencë të vogël në shikime, kënga e Ronelës renditej në vendin e parë.

Gjatë fjalës së saj pas marrjes së çmimit, Ronela tha se këtë arritje ia dedikon babait të saj të ndjerë, duke falenderuar njëkohësisht bashkëpunëtorët pa të cilët nuk do të ishte realizuar.

Nata e parë e festivalit të mbajtur në Pallatin e Kongreseve iu dedikua konkurrimit të 20 këngëtarëve, nata e dytë nostalgjisë, duke qenë të pranishëm emra që kanë lënë gjurmë në 60 vjet histori dhe nata e tretë iu dedikua formatit të Eurovision.