Te Teuta mbizotëron një atmosferë mjaft pozitive në prag te përballjes me Ventsplisin. "Djemtë e detit" vijojnë të stërviten me kapacitet të plotë, ndërsa shprehen të gatshëm për ndeshjen e parë, e cila do të luhet më 11 korrik në Letoni.
Kalimi i një turi mbetet prioriteti kryesor i Teutës. Skuadra po punon në Bansko të Bullgarisë prej dy javësh, me synimin për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në Ligën e Europës. Klubi ka bërë disa goditje në merkato, teksa ka afruar emra si Rustem Hoxha, Bllagoje Todorovski, Aleksandër Kuro, Albano Aleksi, Arlind Kalaja dhe Darko Nikaç, ndërsa janë rikthyer pas aventurës tek Erzeni edhe mesfushorët Xhonatan Lajthia e Orjan Xhemalaj.
Te Teuta janë të ndërgjegjshëm se i pret një ndeshje e vështirë në Letoni, pasi luajnë në transfertë dhe për më tepër ndaj një kundërshtari të fortë, që është në kulmin e angazhimit në kampionat. Të gjithë lojtarët janë mjaft të motivuar dhe shpresojnë që ta kalojnë me sukses këtë pengesë. Një prej tyre, që shfaq optimizëm në prag të ndeshjes së parë, është mesfushori energjik, Roni Gashi, i cili iu bashkua Teutës në verën e vitit të kaluar dhe falë paraqitjeve të mira që bëri, u grumbullua edhe nga Kombëtarja U-21 e Kosovës. Gashi foli për përgatitjet në Bullgari, si dhe shanset që ka Teuta për t’u kualifikuar.
"Po përgatitemi shumë për ndeshjen me Ventsplisin. Nuk duhet të gabojmë në ndeshjen e parë. Do të shkojmë atje për të marrë një rezultat sa më të favorshëm. Jemi gati për të shpalosur të gjitha forcat dhe duke parë përgatitjet që po bëjmë këtu në Bullgari, unë besoj se do t’ia dalim mbanë. Kemi edhe disa ditë në dispozicion për të qenë gati, jam i bindur se nuk do të dalim me kokën ulur nga Letonia. Mbështetja nga klubi na bën që të jemi shumë optimistë për kalimin e turit", tha fillimisht mesfushori qendror, ndërsa foli edhe për ambiciet e klubit.
"Askush të mos guxojë të mendojë që Teuta po dobësohet. Ne do të jemi sërish rivali më i ashpër për çdo skuadër dhe do të pretendojmë të arrijmë objektiva madhore. Unë kam besim se klubi ka ndërtuar një skuadër mjaft efikase dhe konkurruese me ekipet e tjera pretendente. Teuta ka disa sezone që ndodhet mes skuadrave më të mira të kampionatit shqiptar dhe ju siguroj se edicionin e ardhshëm do të kemi ecuri më të mirë në të gjitha kompeticionet. Do të luftojmë për gjithçka", përfundoi kosovari i skuadrës durrsake.





