Roni Gashi është kënaqur nga sezoni i tij. Mesfushori i Teutës, Roni Gashi, shprehet mbi ecurinë e tij këtë sezoni, por dhe objektivat mbi sezonin e ardhshëm që ka Teuta. Gashi është i bindur se sezoni i ri do te jetë më i suksesshëm për të personalisht, por dhe për skuadrën.
Roni e mbyllët për këtë vit në Durrës. Çfarë note i vendosni kampionatit tuaj?
Duke parë se si rrodhën ngjarjet, mendoj se kemi bërë maksimumin. Nuk më pëlqen të vendos një notë, le t’ua lëmë të tjerëve të na vlerësojnë. Personalisht, mendoj se kemi bërë më të mirën.
Si e parashikoni sezonin e ri, pasi dhe përgatitjet i keni vazhduar pasi keni qenë në Europë dhe është arma me fortë te Teuta?
Mendoj se arma jonë më e fortë është harmonia në skuadër dhe përgatitjet që kemi bërë deri tani. Ekipi mendoj se është më se i kompletuar. Jemi në një gjendje të mirë. Kemi mbyllur një fazë përgatitore të mirë, ndërsa asnjë prej futbollistëve nuk ka ndonjë shqetësim. Pra, kemi një skuadër të kompletuar, një staf teknik të aftë dhe një grup lojtarësh cilësorë. Unë nuk e vë aspak në dyshim dhe këtu flas në emër të të gjithë shokëve se do të japim shpirtin në fushën e lojës. Është më se e kuptueshme se ne jemi mjaft të aftë për të konkurruar çdo ekip. Për më tepër, kësaj atmosfere optimiste në kampin tonë i shtohet edhe ajo e tifozërisë, e cila mendoj se do të na mbështesë fuqishëm në këtë start të sezonit të ri.
Vitin që vjen do ju shohim sërish te Teuta apo keni rezervuar të tjera plane për të ardhmen?
Duhet ta theksoj se kam një kontratë me Teutën. Dhe s’e kam menduar të ardhmen. Momentalisht dua të jap maksimumin në këtë skuadër, pasi po stërvitem individualisht në këto ditë pushimi që na kanë mbetur. Më pas do të bashkohem me ekipin për sezonin e ri.
Çfarë note i vendosni sezonit tuaj te Teuta?
Notën le t’ua lëmë specialistëve. Ne futbollistët kemi për detyrë vetëm të flasim nëpërmjet topit.
Një episod që Gashi do e mbajë mend gjatë nga ky sezon?
Në fakt s’jam fokusuar tek episodet, por tek i gjithë sezoni. Për mua është një nga edicionet më të bukura dhe shpresoj të kem kënaqur të gjithë ata që më kanë besuar fanellën e Teutës, nga presidenca e deri te trajneri Bledi Shkëmbi.





