20 gusht 2014 – Nico Rosberg është i sigurt se beteja mes tij dhe Lewis Hamilton për titullin kampion të Formula një do të zgjasë deri në garën e fundit. Momentalisht gjermani udhëheq klasifikimin e përgjithshëm me 11 pikë më shumë se shoku e tij i skuadrës, por pavarësisht avantazhit Rosberg është i bindur kur shprehet se me një kundërshtar si Hamilton cdo gjë mund të ndodhë.
“Në Formula një nuk mund të lejosh të të shpëtojë nga duart një avantazh i tillë, kështu që unë dhe skuadra do të punojmë fort për ta ruajtur deri në fund vendin e parë në klasifikim. Rivaltetit mes meje dhe Hamilton deri në këto momente të kampionatit ka qenë shumë i fortë dhe unë mendoj se kështu do të vazhdojë deri në garën e fundit. Në këtë aspekt cdo pikë e marrë nga tani e deri në fund do të jetë thelbësore”.
Pas 4 javëve pushim Formula një do të rikthehet me garën e rradhës këtë fundajvë në cirkuitin e Spa-Francoshamps. Në Cmimin e Madh të Belgjikës, Rosberg kërkon të mos përsërisë më gabimet e Hungaroringut ku e mbylli garën në vendin e 4-tërt.
“Jam i lumtur që do të rikthehem të garoj sërish pas disa javëve pushim. Në Belgjikë nuk dua të përsëris gabimet që bëra në Hungari edhe pse duhet pranuar se edhe rivalët janë përmirësuar shumë. Pista e Spa-Francoshamps është një nga më të bukurat dhe më spektakolaret e Formula një, kështu që unë dua të bëj rezultat aty. Në të shkuarën nuk kam bërë edhe aq mirë në Cmimin e Madh të Belgjikës, megjithatë shpresoj se këtë vit ky marsh negativ do të ndryshojë”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





