Humbja e dy anëtarëve të nderuar dhe respektuar, Hajdar Kovaçi dhe Çapajev File, ishte një goditje e rëndë për Rotary Club Durrës. Në shenjë nderimi ndaj tyre, Klubi Rotarian zhvilloi një aktivitet përkujtimor, ku merrnin pjesë bashkëshortet dhe fëmijët e dy intelektualëve të nderuar të Durrësit, të cilët u ndanë në mënyrë të papritur nga jeta, pasi u prekën nga Covid-19.

Gjatë fjalës së saj, preseidentja e Rotary Club Durrës, Ela Golemi, shprehu edhe njëherë dhimbjen jo vetëm të saj, për të të gjithë rotarianëve, për humbjen e Kovaçit dhe Files, të cilët ishin ndër anëtarët më të hershëm dhe me kontribute të rëndësishme për degën lokale.

Gjatë aktivitetit, miqtë më të afërt të Kovaçit dhe Files ndanë me të pranishmit kujtime që kishin me të ndjerët, ndërkohë që moment mjaft emocionues ishte shfaqja e një materiali filmik që hidhte dritë mbi karrierën e gjatë të këtyre dy personaliteteve të nderuara, raportet me familjarët e miqtë, por edhe projektet e mbetura në mes për shkak të vdekjes së parakohshme.

Dy bashkëshorteve të të ndjerëve, Magdalena Furrxhi Kovaçi dhe Liljana File, iu dorëzua nga presidentja Golemi një pllakatë mirënjohjeje për kontributin që Dari dhe Çapo (siç i njihnin të gjithë) dhanë për më shumë se 20 vite për Rotary Club.

Hajdar Kovaçi dhe Çapajev File u ndanë nga jeta njëri pas tjetrit në spitalin Infektiv në Tiranë, ku po kuroheshin prej Covid-19.

Në specialen e mëposhtme, bashkëshortet e tyre, Magdalena dhe Liljana, në një rrëfim prekës, flasin për momentet më të veçanta të kaluara përkrah këtyre burrave të nderuar, baballarë të përkushtuar por edhe profesionistë mjaft ambiciozë.

Koronavirusi i rrëmbeu në një kohë, kur ishin ende mjaft aktivë. Kovaçi dhe File lanë mjaft projekte përgjysëm, por njëkohësisht lanë një boshllëk të pazëvendësueshëm jo vetëm për njerëzit e afërm, por edhe për kolegët dhe të njohurit.  

M.B.