100 fëmijëve të komunitetit rom në zonën e Nishtullës në Durrës u është kthyer buzëqeshja këtë fillim viti shkollor.
Klubi Rotarian dhe bashkia e Durrësit, në një ceremoni modeste në qendrën komunitare, të Nishtullës, kanë dhuruar 100 çanta shkolle për vogëlushët e zonës.
Në ceremoni morën pjesë drejtues të qendrës, titullarë të bashkisë dhe biznesmenët e klubit rotarian, të cilët me dhurimin e çantave të shkollës dhanë një mesazh të qartë për të gjthë komunitetin e biznesit, në Durrës, se duhet të ndihmojnë shtresat në nevojë.
Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, tha se pas përfundimit të kampit veror për fëmijët romë, kjo është mënyra më e mirë për të nisur mbarë një vit të ri shkollor në komunitetin ku ka shumë probleme ekonomike dhe sociale.
Hajdar Kovaçi, përfaqësues i Rotary Club, tha se kjo është një nismë e bukur dhe me mjaft vlera për fëmijët e komunitetit rom.
Përfaqësuesit e këtij komuniteti vlerësuan gjithashtu edhe nismën e PNUD-it gjatë sezonit veror, ku 40 fëmijë romë u bënë pjesë e kampit veror, me qëllim socializmin e tyre në shoqëri.
Fëmijët e komunitetit rom në Durrës janë kryefjala e ditës, në këtë prag viti shkollor, pasi janë kontigjenti më i prekur nga fenomene si braktisja e shkollës apo analfabetizmi; kjo për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjeve të tyre.
Dhurimi i çantave të shkollës është një nismë që duhet përshëndetur dhe duhet pasuar nga iniciativa të ngjashme nga donatorë të tjerë, sidomos në drejtim të pajisjes së fëmijëve nga familjet e varfëra me tekstet shkollore dhe pajisjet e domosdoshme për të vijuar shkollën normalisht, si bashkëmoshatarët e tyre.
K.H.





