Marrëveshja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, diskutimet rreth saj, ecuria e negociatave mes palëve dhe vendimi i politikës për të çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës u diskutuan mbrëmjen e së enjtes në takimin e organizuar nga Klubi Rotarian Durrës.

Profesori i njohur i të drejtës ndërkombëtare detare Ksenofon Krisafi, pjesë e grupit të parë negociator  në vitin 2009, e konsideroi të tmerrshme ndërhyrjen e politikës në këtë çështje, ndërkohë që duhet të flasin ekspertët.

“Po qe se do të mbetet monopol i politikës, sikurse duket, këto probleme do të zgjidhen por do të zgjidhen në disfavorin tonë, sepse nëse politika nuk vepron duke u mbështetur tek specialistët, i hynë fushës së pazareve. Specialisti nuk bën pazare.“, tha Krisafi.

Në të njëjtën linjë me profesor Krisafin u shpreh dhe dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, profesor Osman Metalla, i cili theksoi se pala shqiptare përfaqësohet në negociata me 10 drejtorë, një penalizim ky për Shqipërinë, duke pasur parasysh faktin se ata janë persona politikë dhe lehtësisht të komandueshëm.

Unë kam përshtypjen se qeverisë tonë nuk i kanë interesuar ekspertët, i ka përjashtuar ekspertët. Nuk iu duket interesante se grupi i negociatorëve shqiptarë përbëhet nga 10 drejtorë. Drejtorët janë produkt politik më shumë se sa produkt profesional. Duke qenë se janë produkt politik, janë persona më të komandueshëm dhe në momentin që t’i futesh në negociata me një grup negociatorësh drejtorësh, iu thua atyre firmosni siç ju them unë.”, u shpreh Metalla.

Ndarja e kufirit detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Greqisë është një çështje me interes kombëtar, por edhe këtu politika shqiptare nuk gjen konsensusin e nevojshëm.

“Ajo që e ka dëmtuar më shumë këtë histori, është politizimi i kësaj çështjeje. Në vend që politika shqiptare për një çështje të tillë kaq të rëndësishme sikurse është interesi kombëtar, është hapësirë, është territor, duhet të ishte absolutisht e bashkuar, në çdo rast politika shqiptare këtë e ka përdorur si flamur për të thënë t’i je tradhëtar, t’i je ai që e shite, t’i je ai që e fale.”, shtoi Metalla.

Nënshkrimi i marrëveshjes së detit mes dy vendeve, do t’i hapte mundësi Shqipërisë dhe Greqisë të shfrytëzonin zonat ekonomike respektive dhe pasuritë që mendohet se fsheh nëntoka, por duke parë mënyrën se si po trajtohet kjo çështje dhe përdorimin politik të saj, profesor Krisafi deklaroi që marrëveshja finale mes dy vendeve më mirë të shtyhet për t’u miratuar në një periudhë më të vonë, sepse të kemi një marrëveshje të dëmshme.

Në diskutimet që pasuan takimin, shumë nga anëtarët e Klubit Rotarian Durrës u drejtuan dy profesorëve pyetje për të sqaruar shumë nga aspektet e vijueshmërisë së mëtejshme të negociatave, trajtimin e çështjes në Gjykatën e Hagës etj.

M.B.