Pasditen e së enjtes u zhvillua në hotel “Arvi” një takim i Klubit Rotarian Durrës me piktorin e njohur shqiptaro-amerikan Dashamir Gurabardhi, ku e pranishme ishte edhe kryebashkiakja Valbona Sako.
Biseda e zhvilluar mes të pranishmëve “Artisti mes dy kontinenteve” u përqendrua kryesisht në këndvështrime rreth tematikës së artit në qytetin e Durrësit.
Gjatë bashkëbisedimit, artisti Gurabardhi ndau momente të jetës së tij artistike dhe sociale në SHBA.
Klubi Rotarian në përfundim të takimit falenderoi edhe kryetaren e bashkisë Valbona Sako për vëmendjen kushtuar kësaj iniciative dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet.
Dy fjalë për piktorin Gurabardhi
Dashamir Gurabardhi, piktori i njohur, vjen shpesh në Durrës nga New Yorku, ku punon dhe jeton prej shumë vitesh së bashku me familjen. Ka studiuar në liceun artistik “Jordan Misja” Tiranë. Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Dashamiri punoi për vite me radhë si mësues i grafikës në shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku” Durrës (aktualisht “Jan Kukuzeli”).
Si piktor ka punuar në vaj, në grafikë, në mix media, që është bashkimi i disa teknikave. Më një aktivitet prej më se 30 vjecar, punët e tij i gjen në Galerinë Kombëtare Tiranë, në Galerinë e Durrësit, në galeri apo koleksione private si në Itali, Francë, Skoci, Gjermani, Hollandë dhe SHBA.
Është fitues i çmimit Kombëtar në Shqipëri, në Itali (Premio Via Nazareth, Barletta), në Shtetin e New York “NY State Fair”.
Ka marrë medaljen “Naim Frasheri”
Në vitin 1998 largohet në SHBA. Punon dhe krijon prej më se 22 vitesh në SHBA, New York.
Ngjarja më e veçantë e tij në SHBA mbetet letra personale që ka marrë nga presidenti amerikan George Ë. Bush.
“Një mik i tij kishte kërkuar një punim të veçantë si dhuratë për presidentin, i cili prej pak muajsh kishte përfunduar mandatin në Shtëpinë e Bardhë. Në fermën e familjes Bush, në Teksas, i zoti i shtëpisë dhe miqtë kanë diskutuar mbi punimin, por z. Bush ka mbetur i befasuar kur ka mësuar se piktori ishte shqiptar. Letrën e ka shkruar me dorën e tij, aty për aty, pasi ka kërkuar një format zyrtar me vulë të thatë zyrtare”.