Për 3 ditë me radhë, në qytetin e Durrësit është zhvilluar konferenca e parë shqipfolëse e klubit rotarian të Shqipërisë dhe Kosovës.

Nën organizimin e z. Ilirjan Bushati, z. Hazir Gashi, znj. Shpresa Prodani dhe z. Florian Salaj, në këtë konferencë morën pjesë klubet shqiptare të Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Korçës, Pogradecit, Gjirokastrës e Shkodrës si dhe ato të Kosovës; gjithashtu edhe me pjesëmarrjen e veçantë të z. Murat Çelik, as. Guvernatori i klubeve rotariane të Shqipërisë dhe Kosovës, i deleguari i Rotary Internacional.

Në fjalën hapëse, presidentja e Rotary Durrës, Shpresa Prodani, tha se gratë rotariane janë përfaqësuese të denja jo vetëm për bizneset e tyre, por edhe aktiviste po aq të nderuara që dallojnë për angazhimin dinjitoz, preokupimin në sa më shumë aktivitete në komunitet. Ndaj një rëndësi e veçantë i është kushtuar pikërisht atyre në këtë konferencë me temë “Gruaja dhe roli i saj në perspektivën e zhvillimit rajonal”, që gratë të shihen si një prioritet që duhet vlerësuar.

“Kënaquni me Rotary-n” ishte një tjetër moto e kësaj konference, çka do të thotë vlerësimi i projekteve dhe aktiviteteve që rotarianët kanë kryer dhe do të vazhdojnë të bëjnë në të ardhmen. “Dhe ato që do të bëjmë ne, do të kënaqin komunitetin. Pra, vlerësimi, integriteti dhe kënaqësia që sjellim me veprimtarinë tonë është në mendjet dhe zemrat e njerëzve në nevojë”, u shpreh Prodani, e cila përcolli dhe mesazhin se “Sa më të bashkuara të jenë klubet shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, aq më shumë rezultate të frytshme do të sjellë puna e tyre humane”.

I deleguari i Rotary Internacional, as. Guvernatori Murat Çelik, nënvizoi edhe njëherë ndihmesën kolosale që rotarianët në mbarë globin kanë dhënë për luftën kundër Polio Plus-it (sëmundja e Poliomelitit) në vendet e varfra dhe ato të Botës së Tretë duke shpëtuar jetën e mijëra fëmijëve. Në sajë të donacioneve të Rotary Internacional, janë dhuruar mbi 250 milionë dollarë në vit për vaksinat e sëmundjes së Poliomelitit. Z. Çelik kërkon nga të gjithë rotarianët të vazhdojnë të kontribuojnë deri sa Polio të mos ekzistojë më. 

Duke lexuar para të gjithë rotarianëve shqipfolës, letrën e dërguar nga presidenti i Rotary Internacional, John Germ, z. Çelik përcolli këtë mesazh:

“Themeluesi ynë Paul Harris njëherë tha: ‘Fuqia e përpjekjes së kombinuar nuk ka kufi. Së bashku ne do të vazhdojmë që të ofrojmë këtë shërbim të jashtëzakonshëm për komunitetet në gjithë botën dhe do t’ia shtojmë edhe një vit të suksesshëm trashëgimisë së Rotary-t që i shërben njerëzimit’”.

Çfarë është Klubi Rotarian

Rotary Internacional është një organizatë e themeluar në Chicago në vitin 1905 nga Paul Harris, me një numër të vogël personash, prej rreth 30 vetash. Në ditët e sotme në të gjithë botën janë rreth 33 mijë klube, me mbi 1.2 milionë anëtarë. Një organizatë me njerëz të përkushtuar, ndaj të gjitha shtresave shoqërore me probleme në të gjitha fushat e jetës. Ka pasqyruar me mijëra projekte që kanë ardhur në nevojat e shumta të komunitetit në mbarë globin. Përpjekjet e rotarianëve për luftën kundër Polio Plus-it (sëmundja e Poliomelitit) në vendet e varfra apo në Botën e Tretë kanë qenë të jashtëzakonshme duke shpëtuar jetën e mijëra fëmijëve.

Krijimi i klubeve rotariane në Shqipëri është një arritje tejet e suksesshme e promovimit të jetës sociale, që i japin shërbim komunitetit shqiptar. Sot në Shqipëri janë 10 klube rotariane, duke filluar nga Klubi i parë Rotarian në vitin 1992, duke pasur me Durrësin në vitin 2001, Korçën në 2002-shin, e më tej me Elbasanin, Tirana West-in, Gjirokastrën, Pogradecin, Beratin, Shkodrën dhe Vlorën në 2015-n. Njëkohësisht dhe hapja e klubeve Rotariane në Kosovë është një hap akoma më i madh për angazhimin e shqiptarëve në këtë organizatë joqeveritare. Në Kosovë tashmë numërohen më shumë se 13 klube.

Anëtarët rotarianë duhet të punojnë me pasion e energji për të bërë projektet realitet. Duhet të promovojnë paqe, të luftojnë sëmundjet, të dhurojnë ujë të pijshëm, pastërti, higjienë, të ndihmojnë në rritjen ekonomike të komunitetit.