DURRËS, 16 TETOR 2014– Televizioni shtetëror hollandez NOS si edhe disa media te tjera si psh. rrjeti radio-televiziv Pow-Ned me thuajse një javë vonesë njoftojnë për kapjen të premten e kaluar, në Portin e Roterdamit të 130 kg kokaine të pastër me destinacion Shqipërinë. Vlera e kokainës së kapur me cmim shumice shkon në 4,5 milion euro. Kokaina ishte e futur në canta të mëdha sporti dhe e mbuluar me një ngarkesë farash susami të ambalazhuar në thasë 50 kilogramësh. Kontejneri vinte nga Bolivia dhe ishte ngarkuar në anijen kontejnermbajtëse në Panama.
Policia arrestoi njëkohësisht tri persona: një shtetas holandez, një shtetas panamez dhe një shqiptar. Të tre personat u kapën në një makinë me targa false, në zonën e Portit të Roterdamit. Gjykata vendosi këtë të mërkurë (15 tetor 2014), si masë sigurie 14 ditë burg për tre të arrestuarit në pritje të provave dhe fakteve të reja nga prokuroria, dogana dhe policia hollandeze. Ky rast i trafikut të kokainës në sasi të mëdha është pak i vecantë, sepse zakonisht kokaina në sasi të tilla të mëdha qëndron në Hollandë, si të thuash në një “magazinë” shitje me shumicë dhe u shitet trafikantëve nga vende të ndryshme të Europës. Në këtë rast rolin e magazinës së shumicës për kokainën do ta luante Shqipëria.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





