Pas gati dy muajsh Teuta gjen fitoren në kampionat. 1-0 kundër Skënderbeut, falë golit të Lorenzo Vilës, i ndihmuar edhe nga devijimi i Bruno Ditës.
Një “sizmë” e minutës së fundit në “Niko Dovana”, që nuk u dha kohë korçarëve të reagonin, pasi koha nuk mjaftonte. Ndeshja do të niste me 1 minutë heshtje në kujtim të viktimave që humbjen jetën nga tërmeti i 26 nëntorit, e shoqëruar edhe me një banderole ngushëlluese.Një pjesë e parë me shumë sesa e qetë.
Teuta, e ndikuar edhe nga mungesa e rezultateve pozitive përgjatë këtyre javëve, tentoi të bënte kujdes maksimal, duke mos dashur që asgjë t’i lihej rastësisë, ndërsa Skënderbeu i Ilir Dajës prodhoi shumë pak në aspektin sulmues.Skuadrat më se shumti provuan të qarkullonin topin, pa krijuar raste të pastra shënimi, por njëkohësisht edhe duke u përpjekur që kundërshtari të qëndronte sa më larg portës.
I vetmi rast për t’u evidentuar në 45 minutat e para të ndeshjes ishte një goditje dënimi e ekzekutuar nga Avdyli (41’), por që mori si kundërpërgjigje reagimin e portierit Koliçi.Pjesa e dytë do të ofronte të njëjtën panorama, ndonëse Teuta provoi të shfaqej disi më agresive në lojën e saj. Në min e 64’, Emiliano Vila tentoi me një gjuajtje potente nga distanca, por Koliçi tregoi edhe një herë aftësitë e tij.
Në minutën e 76’, sërish vendasit kërcojnë portën e klubit korçar, këtë herë me Lorenzo Vilën. Sërish Koliçi bën mrekullinë, duke devijuar topin në këndore.Kur u duk se skuadrat do të ndaheshin në paqe, “in extremis” festa është për bregdetarët, që gjetën golin e fitores me Lorenzo Vilën, i cili u ndihmua jo pak edhe nga devijimi i Bruno Ditës (90+1’).
Fiton Teuta, që i largohet fundit të rendijtes, të paktën për momentin, por mbi të gjitha që i shërben shumë në aspektin psikologjik. Ndërsa Skënderbeu dha shumë pak, madje as pritjet fenomenale të Koliçit nuk e shpëtuan dot ekipin e Dajës, që në fund u tradhtua edhe nga fati.





