Rozana Radi dhe Sany Dimitri u shpallën fitues të festivalit “Kënga Magjike” me një performancë të jashtëzakonshme që fitoi zemrat e publikut dhe artistëve të tjerë.
Pas fitores, një temë që ngjalli diskutime të shumta ishte fakti që Rozana performoi me një këngë greke. Për këtë zgjedhje, artistja pati një përgjigje të qartë:
“Respektoj çdo gjuhë të të gjithë shteteve të ndryshme të botës. Siç kanë bërë të gjithë artistët, kam dëshirë të bëj edhe unë. Të promovoj kulturën e vendit tim në Greqi, siç bëri edhe Sany. Promovoi kulturën e vendit të tij në Shqipëri. Është mirë të promovojmë.
Është mirë të bëhemi promotorë. Është mirë të bashkojmë. Është e mira të duam njerëzit. Unë e kam bërë edhe në statusin tim, kam thënë që ‘kemi mësuar në këtë jetë të fluturojmë, kemi mësuar në këtë jetë të notojmë si peshqit, ngrihet avioni gjithë ai hekur në qiell, dhe nuk dimë të pranojmë një shtet tjetër. Duhet të mësojmë të duam njëri-tjetrin.’”
Deklarata e Rozanës u mbështet nga Arbër Çepani, i cili theksoi se ekziston ende paragjykimi ndaj promovimit të kulturave të tjera nga artistët shqiptarë. Ai shtoi se shpesh nuk marrim të njëjtin vlerësim në kthim nga kultura të tjera.
E pyetur për këtë fenomen, Rozana shtoi:
“Kjo ndodh, sepse shqiptarët punojnë e jetojnë shumë në Greqi dhe sigurisht që atje dëgjohet vetëm nga shqiptarët muzika jonë. Këtu ndodh më tepër që ne promovojmë jo vetëm muzikën greke, por edhe muzikën italiane. Duke qenë se shqiptarët jetojnë në Greqi dhe vijnë këtu dhe sigurisht sjellin muzikën e tyre me vete dhe kjo është e pandalshme. Por unë do të thoja që mirë do të ishte sikur ta promovonin pak më tepër edhe ata, edhe Italia. Për shembull, ne kemi Ermal Metën, i cili këndoi në Sanremo dhe fitoi me një këngëtar italian”.