Një hotel në Sarandë është shembur gjatë natës si pasojë e një shpërthimi me tritol.

Hoteli mësohet se është në pronësi të dy personave të cilët që nga viti 2002 kanë probleme dhe janë në proces gjyqësor.

Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale edhe në bizneset aty pranë.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 05:55, në lagjen nr.1, Sarandë, në një hotel dy-katësh i ndërtuar që prej vitit 1996, në pronësi të shtetasve S. Ç., dhe E. Dh., ka shpërthyer një sasi lënde, e dyshuar eksplozive, ku si pasojë ndërtesa është rrëzuar dhe janë shkaktuar dëmtime të fasadave të objekteve në afërsi të objektit të rrëzuar.

Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar.

Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve.

Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake rezulton se prej vitit 2002, dy bashkëpronarët janë në një proçes gjyqësor për pronësinë e këtij hoteli.