Nëntë oficerë policie në shtetin jugor indian Tamil Nadu janë dënuar me vdekje për rrahjen fatale të një tregtari dhe djalit të tij, të cilët u arrestuan për shkelje të një urdhri karantine të lëshuar nga autoritetet gjatë pandemisë COVID-19, por humbën jetën nga dhuna policore.

Në një vendim të rrallë të lëshuar të hënën, një gjyqtar i shpalli nëntë të akuzuarit fajtorë për torturë dhe vrasje dhe u dha atyre dënimin maksimal.

58-vjeçari P. Jayarai dhe djali i tij 31-vjeçar J. Bennics u arrestuan më 19 qershor 2020 nga policia për mosmbylljen e dyqanit të tyre të telefonave në qytetin Sandankulam, për të zbatuar një urdhër izolimi të lëshuar nga autoritetet indiane.

Pasi u çuan në stacionin e policisë, dy të arrestuarit u rrahën keqas dhe u torturuan nga disa oficerë policie. Babai vdiq nga plagët e marra dy ditë më vonë, dhe djali i tij të nesërmen, kujtoi në një deklaratë dega federale e krimit të policisë (CBI).

“CBI kujtoi gjatë seancës dëgjimore se këto krime përbëjnë një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, gjë që ka tronditur ndërgjegjen e të gjithë shoqërisë”, theksoi CBI, duke shprehur kënaqësinë e saj me dënimet e shpallura.

oficeret indi

Dënimi me vdekje rrallë ekzekutohet në Indi.

Ekzekutimet më të fundit ishin në mars të vitit 2020. Dënimi me vdekje iu aplikua katër burrave që ishin shpallur fajtorë për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje të re tetë vjet më parë, në një autobus në kryeqytetin e vendit, New Delhi, në një krim që tronditi Indinë.