23gusht 2015– Një ditë pas ngjarjes në spitalin e Durrësit, kur u dhunua mjeku kirurg Anton Ndoji, drejtuesit e këtij institucioni reaguan edhe një herë. Ata kanë dalë në mbrojtje të mjekut, duke dënuar dhunën ndaj bluzave të bardha. Ndonëse konflikti mes Ndojit dhe familjarëve të pacientit 80-vjeçar erdhi për një kateter, spitali këmbëngul se aty gjenden të gjitha ilaçet bazë. “Ky është viti i dytë kur spitali nuk vuan mungesat e dikurshme dhe kjo është vera e dytë kur Urgjenca eshte furnizuar me prioritet për shkak të fluksit të madh të turistëve. Çdo mungesë e vogël e përkohshme është evituar në kohë rekord”, thuhet në njoftimin zyrtar të Spitalit Rajonal të Durrësit.
“I ftojmë qytetarët që për çdo ankesë apo kërkesë rryshfeti të denoncojnë jo vetëm në mënyre elektronike ne faqen tone www.srd.gov.al, por edhe me kuti ankesash në çdo shërbim. Gjithashtu ne spitalin tonë po aplikohet edhe projekti i kenaqesise se pacientit. Permes tij ne kemi marre shume falenderime per cilesine e larte te sherbimit, ashtu si po evidentojme çdo rast ankese nga pacientet apo familjaret e tyre. Por ne nuk mund te pranojme dhunimin e bluzave te bardha ne krye të detyrës”.
Mesditën e djeshme, në urgjencën e spitalit mjeku u përplas fizikisht me familjarët e pacientit. Nipi i këtij të fundit, Jurgen Hoxha, është në kërkim se i shkaktoi frakturë mjekut në krye të detyrës. Gjithçka ndodhi pasi mjeku u tha familjarëve të shkonin të blinin një kateter jashtë spitali.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





