FRANCË– Një përleshje masive fizike ka shpërthyer në natën e Krishtlindjeve në qytetin Calais të Francës midis grupeve shqiptare dhe afgane në një shtëpi azili, informon agjencia e lajmeve INA.

Autoritetet policore të përkrahura nga njësitet e xhandarmerisë kanë ndërhyrë në shpërndarjen e turmës dhe personave që ishin përfshirë në këtë konflikt, ndërsa informohet se pjesëmarrës ishin dhjetëra burra dhe gra. Policia pas verifikimit të gjendjes në këtë shtëpi azili ka arrestuar 16 persona, mes tyre afganëdhe shqiptarë, për të hetuar motivet e shpërthimit të këtij konflikti. Nga ana tjetër, 10 persona janë lënduar rëndë dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në prefekturën e Calais. 

Policia franceze ka theksuar se ka pasur gjasa për t’u rindezur konflikti në mensën e ushqimeve të kësaj shtëpie të azilit, por ndërhyrja e xhandarmerisë ka qetësuar situatën. 

Prefektura në Calais për të rritur sigurinë e popullatës ka kërkuar nga njësitet  e xhandarmerisë të qytetit Dunkerque dhe Roubaix që të përforcojnë masat e sigurisë në zonën përreth shtëpisë së azilit. Në dhomat e azilantëve janë gjetur armë zjarri, shufra hekuri dhe gjësende të tjera të forta. Sipas mediave lokale franceze, konflikti kishte shpërthyer midis dy grupeve që merren me trafikimin e refugjatëve afgan për në Angli. Shtetasit afgan kishin kërkuar që trafikantët shqiptarë të dërgonin një familje falas matanë kufirit, mirëpo kjo është refuzuar nga shqiptarët, që më pas ka shpërthyer konflikti.